Friday, September 11, 2015

Kuizi Europa - Reportazh nga EUPK

Ekipi i shkollës nga Kamenica fiton vendin e parë në “Kuizin Evropa” - dhe pushimin e paharrueshëm nëpër Evropë! Më 6 Maj 2011.

Nxënësit fitues: Flamur Fehmi Kastrati,  Biondina Bashkim Kastrati,  Mentor Shaban Kastrati,
        Ditlume Bislim Kastrati dhe  Diellëza Selami Kastrati.
Më 06/05/2011 - Prishtinë

Ekipi i shkollës Avni Rrustemi nga Kamenica e mundi shkollën Lasgush Poradeci nga Shtimja në Finalen e Madhe për të fituar trofeun e parë të Kuizit Evropa dhe pushimin e paharrueshëm – një udhëtim me minibus nëpër Evropë deri në Bruksel për t’u kthyer prapë në Kosovë. Kuizi Evropa është dizajnuar dhe organizuar nga Perspektiva Evropiane në Kosovë (EUPK), projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë muajve mars dhe prill 2011, 24 shkolla nga e tërë Kosova morrën pjesë në 8 gjysmë finale të mbajtura në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan. Nga të gjitha këto rajone, tetë shkolla – shtatë shqipe dhe një serbe – u kualifikuan për garën finale të mbajtura në Amfiteatrin e Shkollës Amerikane në Kosovë (ASK) të mbajtur sot me 6 maj. Shkollat Avni Rrustemi dhe Lasgush Poradeci dolën fituese të garave paraprake për t’u takuar në Finalen e Madhe. Pas një gare të madhe dhe dramatike, shkolla Avni Rrustemi doli fituese për të marrë kështu trofeun dhe një aventurë të shkëlqyeshme nëpër Evropë.

Qëllimi i Kuizit Evropa ishte të inkurajohen të rinjtë që të mësojnë më shumë për fqinjët nga BE-ja, si përshtatet Kosova në tërë këtë rregullim evropian dhe çka duhet të bëjë Kosova për të siguruar perspektivën e tyre të ardhme. EUPK beson se tani jemi në rrugë për të arritur atë qëllim. Pyetjet dhe përgjigjet e Kuizit ishin hartuar nga libri Kuizi Evropa që është shpërndarë nga EUPK te shkollat pjesëmarrëse dhe kur arritëm në gjysmë-finale ishte e qartë se garuesit – bashkë me mësuesit dhe përkrahësit e tyre – e kishin mësuar tekstin përmendësh. “Ishte e jashtëzakonshme për t”u parë, tha Udhëheqësi i Ekipit EUPK Patrick Brooks. “Shumë shpejt ne vërejtëm se u desht të hartojmë pyetje shumë të vështira në mënyrë që të kemi një fitues. Hartimi i pyetjeve për finale ishte një ankth i vërtetë!”

Duke prezantuar fituesit si dhe duke iu dorëzuar trofeun dhe shpërblimin e paharrueshëm, Ushtruesi i Detyrës së KE-së, Khaldoun Sinno tha se BE dhe Kosova ndajnë vlera shumë të rëndësishme, në veçanti prioriteti që të dy palët i japin të rinjëve dhe për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për ta. Prandaj, ai mirëpriti faktin që “kemi pjesëmarrjen e kaq shumë fëmijëve me një entuziazëm të madh në kuize…BE nganjëherë duket paksa e mërzitshme, por kjo garë tregoi se mund të jetë edhe e kundërta!”.

Odiseja fituese e BE-së do t’i dërgojë ata në Bruksel përmes Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Gjermanisë, Holandës pastaj do të kthehen përmes Francës (përfshirë një ditë në Diznilend në Paris), Itali dhe me trajekt në Shqipëri. EUPK do të xhirojë një dokumentar për TV-të në Kosovë duke përcjellë rrugën e tyre dhe duke marrë pamje nga ato që shohin dhe mësojnë.
EUPK do të organizojë Kuizin tjerër Evropa në vitin 2012 dhe do të angazhojë një hartues profesional të librit për të nxjerrë një libër të veçantë për Kuizin dhe për përdorim nga shkollat në Kosovë.


No comments:

Post a Comment